Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka akuzuar opozitën për bllokim të procesit të konstituimit të institucioneve, duke e cilësuar këtë si pjesë të një fushate të parakohshme për zgjedhjet lokale.
Thaçi tha se opozita po keqinterpreton qëllimisht procesin e votimit në Kuvend.
“Nuk po votohet për Albulena Haxhiun, por po votohet për një komision, për votim të fshehtë brenda Kuvendit, duhet me i dallu gjërat,” theksoi ai.
Deputeti i LVV-së u shpreh se kjo është hera e 18-të që ndodh një veprim i tillë.
“Prandaj, kjo është hera e 18-të që opozita është për bllokimin e krijimit të institucioneve,” u shpreh Thaçi.
Ai gjithashtu akuzoi opozitën se ka nisur fushatën që nga fillimi i shkurtit, duke e lidhur këtë me suksesin elektoral të Vetëvendosjes në nivel vendi.
“Nga 9 shkurti opozita e ka filluar fushatën sepse makthi i tyre ka qenë harta e fitores së VV anë e mbanë Kosovës,” tha ai për FrontOnline.
Thaçi potencoi se bllokimi i Kuvendit është dëshmi se opozita nuk është e interesuar për funksionimin e institucioneve qendrore..
“Kur opozita e ka blloku Kuvendin, po tregon qartë se ajo është në fushatën e zgjedhjeve lokale, dhe po tenton që mos me pas institucione të nivelit qendror,” deklaroi deputeti.
Deputeti Thaçi u shpreh se nuk beson se opozita ka ndonjë interes për të ndihmuar në formimin e institucioneve.
“Nuk mendoj dhe nuk besoj se opozita është e interesuar për formimin e institucioneve. Kjo është parafushatë e zgjedhjeve lokale e tyre,” përfundoi ai.