Trajneri i kombëtares së Serbisë, Dragan Stojkoviq, ka zhvilluar një konferencë për media të mbushur me tension dhe tone të ashpra, në prag të ndeshjeve kundër Shqipërisë dhe Andorrës. Shkak për reagimin e tij u bë një sërë pyetjesh rreth refuzimeve nga disa futbollistë, përfshirë emra si Sergej Milinkoviç-Saviç, vëllai i tij Vanja, dhe portieri i Romës, Mile Svilar.
Stojkoviq reagoi ashpër ndaj gazetarëve, duke theksuar se nuk do të lutet për asnjë lojtar që nuk dëshiron të luajë për kombëtaren. “Mos prisni të shkoj në Romë për t’u lutur. Ai [Svilar] zgjodhi klubin, dhe jam i lumtur për të”, u shpreh ai.
I pyetur nëse është ai problemi kryesor që po largon lojtarët nga kombëtarja, Stojkoviq u përgjigj me tone ironike: “Nëse unë jam problemi, jap dorëheqjen nesër.”
Trajneri serb vijoi duke mbrojtur zgjedhjet e tij teknike, duke theksuar se ftesat në kombëtare bëhen vetëm mbi bazën e meritës. Ai kritikoi edhe disa futbollistë, përfshirë Radonjiçin, duke e akuzuar për vetëshkatërrim dhe ndikim negativ në ekip.
“Nuk ka lojtarë të përhershëm. Për sa kohë që unë jam këtu, do të vendos kush luan. Të tjerët mund të zemërohen, por kjo është përgjegjësia ime,” përfundoi Stojkoviq.
Konferenca ka ndezur debat në Serbi dhe më gjerë, duke reflektuar tensionin në rritje brenda ekipit kombëtar para ndeshjeve të rëndësishme.