Një seancë e tensionuar parlamentare në Bullgari u shndërrua sot në një arenë përplasjesh fizike, pasi Komisioni Evropian zyrtarizoi miratimin për pranimin e vendit në eurozonë duke filluar nga viti i ardhshëm.
Vendimi, që nga qeveria është përshëndetur si “një hap historik drejt integrimit të plotë evropian”, është pritur me zemërim nga opozita e ekstremit të djathtë, Partia e Ringjalljes, e cila e konsideron këtë zhvillim si një “dorëzim sovraniteti”.
Pamje dramatike nga Kuvendi tregojnë momentin kur deputetët e kësaj partie bllokuan foltoren, duke ndërprerë punimet dhe duke përshkallëzuar përplasjet verbale në përleshje fizike. Një nga deputetët i dha grusht një anëtari të shumicës, duke shkaktuar kaos dhe ndërhyrjen e sigurisë së Kuvendit për të ndalur përplasjen.
Në të njëjtën kohë, mijëra qytetarë dolën në rrugët e Sofjes duke protestuar kundër vendimit të Komisionit Evropian. Të organizuar nga Partia e Ringjalljes, protestuesit mbanin pankarta kundër euros dhe brohorisnin “Jo kolonializmit euro!”.
Kryeministri bullgar e dënoi dhunën në Kuvend dhe e quajti të papranueshme sjelljen e opozitës. “Ne kemi bërë hapa të mëdhenj për t’u bërë pjesë e plotë e Evropës. Askush nuk ka të drejtë të përdorë grushtet për të ndaluar vullnetin demokratik”, deklaroi ai.
Ndërkohë, lideri i Partisë së Ringjalljes u shpreh se hyrja në eurozonë do të sjellë “rritje çmimesh, humbje të identitetit ekonomik dhe nënshtrim ndaj Brukselit”.
Ngjarjet e ditës së sotme janë një pasqyrë e polarizimit të thellë në shoqërinë bullgare lidhur me integrimin evropian, ndërsa BE e sheh këtë si një hap kyç drejt forcimit të unitetit monetar në Ballkan.