Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka propozuar zyrtarisht emrin e gjeneralit Grinkevits për postin e komandantit të forcave të SHBA-së në Evropë, i cili do të marrë njëkohësisht edhe rolin e Komandantit Suprem të Aleatëve në Evropë (SACEUR), një nga postet më të larta ushtarake në strukturën e NATO-s.
Emërimi duhet të miratohet nga Senati amerikan dhe konsiderohet një zhvillim që pritet të sjellë lehtësim në radhët e aleatëve evropianë, në një kohë kur retorika kritike e Trump ndaj NATO-s dhe qëndrimi i tij i vakët ndaj luftës në Ukrainë kanë ngritur shqetësime për të ardhmen e angazhimit amerikan në Aleancë.
Posti i SACEUR, që nga krijimi i tij pas Luftës së Dytë Botërore, është mbajtur gjithmonë nga një gjeneral amerikan, filluar me Dwight D. Eisenhower në vitin 1951 dhe ka përgjegjësinë për drejtimin e të gjitha operacioneve ushtarake të NATO-s në Europë.
Që nga fillimi i mandatit të tij, Trump ka shtuar presionin ndaj vendeve europiane për të rritur shpenzimet për mbrojtjen dhe për të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit. Sipas burimeve të brendshme, në administratën amerikane janë diskutuar edhe mundësi që në të ardhmen ky post t’i besohet një vendi europian, një skenar që do të përbënte një ndryshim historik në strukturën e NATO-s.