Sot, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të takohen sërish në një përpjekje të re për ta konstituuar parlamentin, në tentativën e 28-të që nga zgjedhjet.
Seanca e fundit, e cila u mbajt të enjten, përfundoi pa sukses, duke shënuar dështimin e 27-të radhazi për të funksionalizuar Kuvendin. Seanca e radhës po mbahet vetëm 24 orë pas asaj të mëparshmes, ndryshe nga praktika standarde prej 48 orësh, si rezultat i dakordimit të deputetëve që dita e sotme të jetë pushim për shkak të festës së Kurban Bajramit.
Ngërçi politik tashmë ka hyrë në muajin e dytë, i nxitur nga këmbëngulja e Lëvizjes Vetëvendosje për të realizuar votimin për kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në mënyrë të fshehtë. Ky qëndrim po vazhdon të jetë burimi kryesor i bllokadës, pasi nuk ka arritur ende një konsensus ndërmjet partive parlamentare.