Kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e sotëm me ndjekësit e tij në rrjetet sociale pamje impresionuese nga stërvitja ndërkombëtare ushtarake “Defender 25”, duke theksuar rëndësinë strategjike të këtij operacioni në rrafshin ndërkombëtar.
Në postimin e tij, i shoqëruar me video të Forcave të Armatosura shqiptare në veprim, Rama shkruan:
“MIRËMËNGJES dhe me Forcat e Armatosura që vijojnë stërvitjen ‘Defender 25’, stërvitja ndërkombëtare, një nga më të mëdhatë dhe më komplekset e dekadës së fundit në Europë dhe Afrikë, që zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Europiane të SHBA, në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s, ju uroj një fundjavë të mbarë.”
Stërvitja “Defender 25” është një nga aktivitetet më të rëndësishme ushtarake të këtij viti, duke përfshirë operacione komplekse luftarake dhe logjistike, që synojnë forcimin e gatishmërisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Shqipëria merr pjesë aktive në këtë stërvitje, si vend anëtar i NATO-s, duke konfirmuar rolin e saj të angazhuar në arkitekturën e sigurisë euroatlantike.
“Defender 25” është pjesë e një serie stërvitjesh të përvitshme që zhvillohen nën drejtimin e Komandës Europiane të SHBA-së, me qëllim testimin e kapaciteteve të reagimit të shpejtë dhe ndërveprimin mes forcave të vendeve partnere në përballje me sfidat aktuale të sigurisë globale.