Fundjava ka shënuar fluksin më të madh të lëvizjeve në Pikën Kufitare të Morinës për këtë sezon veror, me rreth 56 mijë qytetarë që kanë kaluar kufirin në vetëm dy ditët e fundit. Shqipëria po hyn zyrtarisht në sezonin turistik veror me shifra premtuese dhe interes të lartë nga vizitorët rajonalë.
Sipas të dhënave zyrtare, në territorin shqiptar kanë hyrë 45,701 shtetas, shumica prej tyre pushues nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën dhe ditët e para të qershorit në bregdetin shqiptar.
Përveç pushuesve, një pjesë e udhëtarëve janë edhe tifozë të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, të cilët kanë ardhur për të ndjekur nga afër përballjen emocionuese Shqipëri–Serbi.
Në dalje nga Shqipëria janë regjistruar 10,805 shtetas me 3,467 automjete, ndërsa në hyrje janë evidentuar 14,619 automjete, një shifër që dëshmon për rritjen e interesit turistik dhe përgatitjen e shqiptarëve të diasporës dhe rajonit për sezonin veror.
Autoritetet kufitare kanë njoftuar se janë marrë masa të shtuara për të menaxhuar fluksin e lartë të udhëtarëve, përfshirë shtimin e sporteleve të kontrollit dhe praninë e shtuar të stafit në terren.
Ky trend pozitiv pritet të vijojë edhe gjatë javëve në vijim, me parashikime për rritje të mëtejshme të vizitorëve, ndërsa Shqipëria konfirmon gjithnjë e më shumë pozicionin e saj si një destinacion i preferuar veror në rajon.