Auditori i Përgjithshëm ka identifikuar një sërë parregullsish në menaxhimin financiar dhe administrativ të Komunës së Prishtinës gjatë vitit 2024, duke ngritur shqetësime mbi transparencën dhe zbatimin e rregulloreve ligjore.
Sipas raportit të siguruar nga RTK, janë konstatuar mangësi në menaxhimin e kontratave publike dhe subvencioneve, përfshirë pagesa të kryera pa ndjekur procedurat e prokurimit, ndryshime në shuma buxhetore pa miratimet e nevojshme, si dhe probleme në vlerësimin dhe zbatimin e ofertave tenderuese.
Një nga çështjet më të spikatura lidhet me subvencionimin e kopshtit publiko-privat “Botanika”, ku 58,820 euro janë alokuar me parregullsi. Raporti evidenton se disa prindër kanë vazhduar të paguajnë tarifën e plotë, pavarësisht se subvencionet ishin dedikuar familjeve me të ardhura nën 1,000 euro. Për më tepër, janë identifikuar raste ku fëmijë që nuk kanë ndjekur fare kopshtin gjatë vitit 2024 kanë figuruar në listat e përfituesve.
Auditimi ka konstatuar shkelje të Ligjit të Prokurimit dhe Ligjit të Buxhetit, përfshirë kontraktimin e projekteve pa procedurat adekuate. Një rast i tillë është marrëveshja e 5,120,000 eurove mes Komunës dhe UNDP-së për disa projekte, e cila është realizuar në formë parapagimi, në kundërshtim me kornizën ligjore.
Për më tepër, raporti vë në dukje probleme në tenderimin e projekteve madhore, si ai për “Art & Technology Hub – Tulltorja” me vlerë 1,200,000 euro, “Ndërtimi i rrugëve në lagjen Kodra e Trimave” me kontratë prej 598,764 euro, si dhe “Renovime për Qendra Sociale” me një vlerë të parashikuar prej 100,000 eurosh.
Në total, raporti i auditimit ka rezultuar me 27 rekomandime, ku 12 janë të reja, 14 të përsëritura dhe një pjesërisht i përsëritur. RTK ka kontaktuar zyrtarët e komunës për një reagim, por përgjigja e tyre ende pritet.