Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka vendosur 12 tetorin si datën e zgjedhjeve të rregullta lokale, duke hapur zyrtarisht procesin për organizimin e tyre.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të mbajë një mbledhje për të miratuar afatet dhe planin e aktiviteteve zgjedhore. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi për Klankosova.tv se ky plan do të përcaktojë saktësisht fazat e procesit zgjedhor dhe përfshirjen e subjekteve politike, votuesve dhe vëzhguesve.
Sipas tij, aktivitetet kryesore përfshijnë:
- Certifikimin e subjekteve politike dhe dorëzimin e listës së kandidatëve.
- Verifikimin e përshtatshmërisë së kandidatëve dhe deklarimin e partive për pjesëmarrje në koalicion.
- Regjistrimin dhe votimin për personat jashtë Kosovës dhe ata me nevoja të veçanta.
- Periudhën e fushatës zgjedhore dhe procedurat për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave.
- Emërimin dhe trajnimin e trupave zgjedhore, përfshirë Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe këshillat e vendvotimeve.
- Certifikimin e Listës së Votuesve dhe procedurat për votimin.
Ky proces zgjedhor pritet të jetë një nga më të rëndësishmit në vitin 2025, duke përcaktuar përfaqësimin politik dhe qeverisjen lokale në Kosovë për vitet e ardhshme.