Pse nuk u takua më presidentja Osmani me liderët e partive e as nuk iu drejtua Kushtetueses?

by Nexhat

“Ky është vetëm takimi i parë”. Kështu kishte deklaruar më 15.05.2025 presidentja Vjosa Osmani pas takimit me liderët e partive parlamentare për të gjetur zgjidhje përballë ngërçit politik për konstituimin e Kuvendit.

Presidentja në konferencë për media pas këtij takimi kishte thënë se në takim kishte disponim minimal, por që takimet do të vazhdojnë qoftë edhe individualisht.

banner

Që nga 15 maji kanë kaluar 25 ditë, por nuk ka pasur takim tjetër në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani, tha se takim tjetër ka pasur pas 15 majit – ai për çështjen e organizimit të zgjedhjeve lokale.

Edhe në këtë takim, sipas Kupinës, presidentja ka përsëritur në mënyrë të drejtpërdrejtë ftesën e saj.

“Nëse partitë politike kanë interes për konsultime shtesë lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ajo është e gatshme të zhvillojë takime të veçanta me secilin prej tyre. Ftesa e Presidentes vlen ende, nëse për një gjë të tillë kanë interesim liderët e partive politike” – ka deklaruar Kupina për KALLXO.

Pas takimit të 15 majit, për media nuk ishte deklaruar kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Tre kryetarët e partive, të cilët në legjislaturën e kaluar ishin opozitë, kishin folur për media.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kishte thënë se situata vazhdon të jetë e njëjtë. Megjithatë, ai e kishte parë takimin si një hap para dhe një përpjekje shtesë nga përfshirja e presidentes për të gjetur rrugëzgjidhje.

“Kjo krizë nuk është procedurale, është politike. Andaj, duhet të kishte zgjidhje politike. Por, nëse kjo qasje autoritare vazhdon, do të bëjmë çmos për të gjetur zgjidhje” – kishte thënë Krasniqi më 15.05.2025.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit kishte deklaruar se partitë qëndruan në pozicione paraprake, që i bie se nuk kishte iniciativë për zgjidhje.

“Më së paku iniciativë nga partia e parë. Dy partitë e tjera patën përafrim, por pa partinë e parë nuk mund të lëvizim” – kishte deklaruar Abdixhiku para mediave më 15.05.2025.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit të përbashkët me presidenten Osmani dhe kryetarët e partive politike kishte thënë se ka paraqitur në takim qëndrimin që e ka thënë tash e sa kohë: “që të ndërrohet emri i kandidates”.

“Kemi dhënë idenë tonë. Do ta votojmë për kryetar të Kuvendit një person unifikues” – kishte thënë ai më 15.05.2025.

Presidentja dhe Gjykata Kushtetuese

Gjatë konferencës për media më 15 maj, presidentja Osmani ka folur edhe për çështjen e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së konstituimit të Kuvendit.

“Ajo që kam shprehur para liderëve është që jam e gatshme, që nëse ka pajtim nga ana e tyre, unë nuk kam problem që ta dërgoj këtë në Gjykatën Kushtetuese. Ata nuk patën ndonjë kundërshti” – kishte deklaruar Osmani më 15.05.2025.

Megjithatë, deri më tani nuk ka njoftim nga Presidenca e Republikës së Kosovës se një hap i tillë është ndërmarrë.

Këshilltari Kupina për këtë çështje tha se ekipi ligjor i presidentes e ka përgatitur një draft të lëndës që mund të adresohej në Gjykatën Kushtetuese.

Ky draft, megjithatë, nuk është dërguar ende. Kjo për shkak se Presidenca po pret aktgjykimin e Kushtetueses rreth pranueshmërisë së kërkesës të cilën e ka dërguar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Kjo pastaj mund t’i sqarojë edhe çështjet e pranueshmërisë së një çështjeje që do të referohej nga Presidentja. Pra nuk është fjala për meritat e çështjes, por vetëm për anën procedurale, pra pranueshmërinë” – ka deklaruar Kupina.

Shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, më 12.05.2025, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetushmërisë së propozimit për formimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit të Kosovës.

“Raporti është hartuar nga ekspertë të AAK-së dhe kërkuam që kjo çështje të trajtohet me prioritet. Konsiderojmë se është shkelje ligjore. Po zhvleftësohet edhe Kuvendi dhe konsiderojmë që po shkelet edhe Kushtetuta. I lutëm akterët që ta trajtojnë me prioritet, ndoshta edhe me masë të përkohshme që të ndalohet mbajtja e seancave derisa Gjykata ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim” – kishte deklaruar Kadrijaj para mediave.

Pas dorëzimit të lëndës në Kushtetuese kishte reaguar edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai ka konsideruar se “loja me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës është bërë e turpshme, jo vetëm për deputetët e zgjedhur nga populli, por edhe për vetë Kosovën si shtet” dhe “seancat e përsëritura në çdo 48 orë, pa asnjë vendim, janë bërë model i papjekurisë shtetërore”.

“Dëmet nga bllokada që po i bëhet konstituimit të Kuvendit ka edhe pasoja të rënda politike dhe ekonomike për ne si vend e si shoqëri. Konsiderojmë se ndërrimi i mënyrës së votimit në gjysmë të procesit, me diktat të Vetëvendsjes, është shkelje e rëndë e Kushtetutës.” – ka shkruar Haradinaj.

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me opinion në lidhje me kërkesën e AAK-së për vlerësimin e kushtetushmërisë së propozimit për formimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit të Kosovës.

Më 09.06.2025 ka dështuar për herën e 29-të konstituimi i Kuvendit.

Seanca që ka nisur më 15.04.2025 po vazhdon pa asnjë rezultat e tash e 29 herë. Përpjekja e radhës do të nisë në orën 11:00 të datës 11.06.2025.

Kjo seancë ka mbetur në pikën e tretë të rendit të ditës, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Seanca është vazhdim i ndërprerjes së vazhdueshme për shkak të pamundësisë për të krijuar komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka të drejtën të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë post.

Megjithatë, ajo nuk ka arritur të sigurojë numrin e nevojshëm të votave në asnjërën nga herët kur është proceduar në votim.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 09.02.2025

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy