Deputeti i LDK-së, Ekrem Hyseni, pas dështimit të 31-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës tha se pati rënie të numrit të votave të Vetëvendosjes në votimin e sotëm ku për të 31-ën herë dështoi konstituimi i Kuvendit.
“Ajo çka pamë sot vazhdim i skenarit me rezultat të njëjtë. Sot në propozimin e VV-së kishte vetëm 47 deputetë për, numri më i vogël ndonjëherë pas këtyre zgjedhjeve. Pra, kemi një Kuvend jofunksional, një qeveri pa legjitimitet e ndërkohë që nuk ka asnjë lëvizje që të dilet nga kjo krizë”.
Ai tha se partia e tij e sheh me shqetësim këtë dhe tha se është e vetmja parti që ka një propozim se si të dilet nga situata.
“Si LDK e shohim me shqetësim dhe për këtë arsye e kemi bërë prezantimin tonë dhe besojmë që është e mirë për daljen nga kriza. Është e vetmja parti me propozim”.
Në seancën e sotme 87 deputetë ishin prezentë dhe 47 prej tyre votuan për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim për Komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.