Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar planin e buxhetit për organizimin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, që do të mbahen më 12 tetor 2025. Buxheti i përgjithshëm i miratuar nga KQZ kap vlerën e 16,126,364 eurove, ndërsa institucioni ka paralajmëruar se do të kërkojë mbështetje shtesë prej rreth 6.5 milionë eurosh nga Qeveria e Kosovës.
Sipas KQZ-së, pjesa më e madhe e mjeteve janë të destinuara për pagesën e trupave zgjedhore, përfshirë komisionerët dhe stafin tjetër të angazhuar në proces. Vetëm për këtë kategori janë planifikuar mbi 7 milionë euro.
Në buxhet është paraparë gjithashtu edhe mbulimi i shpenzimeve për votuesit jashtë vendit, meqë nga këto zgjedhje, KQZ do të dërgojë pakot me fletëvotime për të gjithë shtetasit që regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës.
Kufizim i shpenzimeve për fushatën zgjedhore
KQZ ka marrë vendim edhe për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të tetorit. Sipas vendimit, çdo subjekt politik do të lejohet të shpenzojë deri në 2 euro për çdo votues të regjistruar në komunën ku garon.
Kjo vlerë u vendos pas debateve të gjata ndërmjet anëtarëve të KQZ-së, të cilët kundërshtuan propozimet fillestare për kufizimin në 1 apo 1.5 euro për votues.
Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje theksoi nevojën për një prag më të lartë të shpenzimeve duke përmendur kompleksitetin dhe madhësinë e 38 komunave. “E konsideroj të nevojshme që ky prag të jetë minimumi 1.5 euro për këto zgjedhje,” tha Krasniqi.
Nga ana tjetër, Ilir Gashi i PDK-së shprehu shqetësimin se kufizimet e tepruara mund të çojnë në praktika të jashtëligjshme. “Subjektet do të detyrohen të shmangin deklarimin e plotë nëse nuk lejohen shpenzime të mjaftueshme,” tha ai.
Muharrem Nitaj i AAK-së ironizoi shumën e propozuar duke thënë se “1.5 euro për votues është një kafe për kokë banori”.
Pas diskutimeve, vendimi për shumën 2 euro për votues u miratua me 11 vota pro nga anëtarët e KQZ-së.
Vendimi për kufizimin e shpenzimeve do të zbatohet për të gjitha mjetet e përdorura në fushatë, pavarësisht nga koha e blerjes apo e pajisjes me to. Llogaritjet janë bërë në përputhje me Rregulloren Zgjedhore për fushatën, si dhe mbi bazën e listës preliminare të votuesve, ku sipas të dhënave, numri i përgjithshëm i votuesve në vend është 2,071,544.