Elezi: KQZ nuk ka ndarë mjete për fushatën e subjekteve politike, por vetëm ka kufizuar shpenzimet e tyre

by Nexhat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është deklaruar rreth vendimit të së premtes për kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike të cilat do të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik, në komunën ku do të marrë pjesë në zgjedhje, ka të drejtë të shpenzojë 2 euro për votues të regjistruar në atë komunë.

banner

Por, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka sqaruar se ky vendim s’ka të bëjë me ndarjen e mjeteve për subjektet politike, pasi ky institucion nuk financon fushatën e subjekteve politike.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka ndarë mjete për subjektet politike që do të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale 2025. KQZ nuk e financon fushatën zgjedhore të subjekteve politike”, tha Elezi.

Sipas tij, vendimi i KQZ-së ka të bëjë vetëm me kufizimin e shumës që mund ta shpenzojnë subjektet politike në komunat ku garojnë.

“Vendimi i KQZ-së ka të bëjë vetëm me kufizimin e shpenzimeve financiare për subjektet politike, sipas të cilit, një subjekt politik, në komunën ku do të marrë pjesë në zgjedhje, ka të drejtë të shpenzojë 2 euro për votues të regjistruar në atë komunë”, tha Elezi.

Ndryshe, gjatë ditës KQZ ka njoftuar për këtë vendim, sipas të cilit subjektet politike nuk mund ta tejkalojnë vlerën e kufizuar të shpenzimeve në komunat në të cilat certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhje.

Gjithashtu, kufizimet e shpenzimeve maksimale të lejuara për fushatë zgjedhore zbatohen për çdo mall dhe shërbim të shpenzuar në komunat përkatëse për qëllime të fushatës pa marrë parasysh kohën e blerjes apo të pajisjes me shërbime.

Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin e fushatës së zgjedhjeve si dhe duke u mbështetur në të dhënat e listës preliminare të votuesve në secilën komunë, sipas të cilës numri i përgjithshëm i votuesve në vendin tonë është 2,071,544 votues.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy