Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës zyrtare në Japoni, është takuar me kryeparlamentarin japonez, Fukushiro Nukaga, me të cilin ka biseduar për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani njoftoi se në këtë takim u riafirmua përkushtimi i ndërsjellë për thellimin e partneritetit Kosovë–Japoni, në funksion të interesave të qytetarëve dhe vlerave të përbashkëta demokratike.
“Gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit të Japonisë, z. Fukushiro Nukaga, riafirmuam përkushtimin tonë të palëkundur për thellimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, në dobi të qytetarëve tanë dhe në shërbim të vlerave të përbashkëta”, shkroi Osmani.
Presidentja vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme që Japonia i ka dhënë Kosovës, duke e cilësuar atë si një faktor kyç në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe zhvillimit të vendit.
“Mbështetja e Japonisë për popullin e Kosovës ka qenë thelbësore gjatë të gjitha fazave të shtetndërtimit. Synojmë që këtë partneritet ta ngremë në nivele edhe më të larta”, shtoi Osmani.
Vizita e Presidentes Osmani në Japoni synon forcimin e raporteve diplomatike, ekonomike dhe kulturore me një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës në Azi.
Takimi me kryeparlamentarin Nukaga shënon një hap të rëndësishëm në këtë drejtim, duke theksuar interesin e ndërsjellë për bashkëpunim afatgjatë.