Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri ka njoftuar se deri tani nuk ka pasur asnjë shqiptar të lënduar nga sulmet iraniane në Izrael, duke shtuar se situata është nën monitorimin e vazhdueshëm nga autoritetet shqiptare.
Në njoftimin e saj, ministria ka theksuar gjithashtu se fluturimet drejt Izraelit janë ndaluar deri në një njoftim të mëtejshëm.
Po ashtu, MEPJ ka njoftuar se po ndiqet me prioritet dhe kujdes të veçantë situata e shtetasve shqiptarë në Izrael, që janë prekur nga ngjarjet e fundit.
Deri tani, nuk ka pasur raporte për shqiptarë të lënduar apo të dëmtuar. Sipas informacioneve të fundit, janë evidentuar pesë shtetas shqiptarë në Izrael, tre prej të cilëve me status turisti dhe dy me qëndrim të përkohshëm.
Ambasada shqiptare në Tel Aviv është në kontakt të vazhdueshëm me këta shtetas. Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore, janë të informuar dhe po ndjekin udhëzimet e sigurisë nga autoritetet izraelite.
Për shkak të situatës, fluturimet janë pezulluar. Në rast emergjence, shtetasit shqiptarë mund të kontaktojnë Ambasadën Shqiptare në Tel Aviv në numrat e mëposhtëm: +972 54 480 6601, +972 54 904 2813.