Pas mungesës në dy Kupat e fundit të Botës dhe me një fillim zhgënjyes për kualifikimin në Botërorin 2026, Italia është ende në kërkim të një trajneri të ri.
Pas refuzimeve nga Claudio Ranieri dhe Stefano Pioli, emri që po përflitet më së shumti është ai i Gennaro Gattusos.
Italia, një ndër kombëtaret më të mëdha në historinë e futbollit, nuk po arrin të dalë nga kriza e rezultateve. Pas eliminimit nga dy Kupat e fundit të Botës, ajo ka nisur keq edhe fushatën për kualifikim në Botërorin 2026 – me një humbje 3-0 nga Norvegjia dhe një fitore 2-0 ndaj Moldavisë. Këto rezultate kanë detyruar Federatën Italiane të Futbollit të kërkojë me urgjencë një drejtues të ri për pankinën e kombëtares.
Pasi Claudio Ranieri dhe Stefano Pioli refuzuan ofertat për të marrë drejtimin e “Squadra Azzurra”, federata duket se është përqendruar tek Gennaro Gattuso si kandidati kryesor.
Ish-mesfushori i njohur i Milanit, i cili më vonë ka drejtuar edhe Napoli, Marseille dhe së fundmi Hajduk Split, është i lirë pas largimit nga klubi kroat pas vetëm një sezoni.
Edhe pse si trajner ka fituar vetëm një trofe – Kupën e Italisë me Napolin – Gattuso gëzon një respekt të madh falë karakterit të tij luftarak dhe energjisë së fortë që ai sjell në çdo skuadër. Pikërisht kjo cilësi shihet si vendimtare nga drejtuesit e futbollit italian për të rikthyer shpirtin luftarak dhe identitetin e humbur të kombëtares italiane, e cila duket se ka nevojë për një “tronditje” për t’u zgjuar nga kriza.