Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar zyrtarisht se Konventa e saj e 11-të e Përgjithshme do të mbahet më 21 qershor 2025 dhe do të ketë karakter zgjedhor. Lajmin e ka bërë të ditur Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila tha se i vetmi kandidat për postin e kryetarit është lideri aktual i partisë, Memli Krasniqi.
Në njoftimin zyrtar të PDK-së, kandidatura e Krasniqit për një mandat të ri në krye të partisë është cilësuar si “një konfirmim i unitetit, mbështetjes dhe besimit në vizionin dhe udhëheqjen e tij”.
“Nën udhëheqjen e Kryetarit Memli Krasniqi, katër vitet e fundit kanë qenë vite të punës, reformës dhe ringritjes për PDK-në. Ne kemi shënuar fitore të rëndësishme në zgjedhjet lokale, kemi rritur ndjeshëm mbështetjen qytetare në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 dhe kemi bërë hapa të mëdhenj drejt ndërkombëtarizimit të partisë sonë”, deklaroi Çitaku.
Ajo theksoi se Konventa e 21 qershorit është një moment i rëndësishëm për PDK-në, jo vetëm për shkak të detyrimeve statutare, por edhe si një dëshmi e qartë e demokracisë së brendshme dhe gatishmërisë për të udhëhequr vendin.
“Partia Demokratike e Kosovës është parti me përvojë shtetformuese, me histori ndërtuese dhe me kapacitet për ta udhëhequr Kosovën drejt kapitullit të ardhshëm të zhvillimit dhe integrimit euroatlantik. Me këtë Konventë, ne nuk po zgjedhim vetëm drejtimin e partisë, por po përgatitemi për drejtimin e vendit”, u shpreh Çitaku.
Në vijim të deklaratës së saj, Çitaku tha se PDK është e përgatitur për fitoren e radhës dhe se rruga drejt saj nis me Konventën e 21 qershorit dhe do të vazhdojë me zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
“Fitorja e radhës e PDK-së nis më 21.06.2025 dhe do të vazhdojë me 12.10.2025, në zgjedhjet lokale”, përfundoi ajo.
Konventa pritet të sjellë jo vetëm rizgjedhjen e Memli Krasniqit në krye të partisë, por edhe të përcaktojë drejtimet strategjike të PDK-së për periudhën e ardhshme politike në vend.