I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, ka konfirmuar zhvillimin e një bisede me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në margjinat e Forumit të Sigurisë GLOBSEC, që po mbahet në Bratislavë.
Në një deklaratë të shkurtër për media, Sorensen u shpreh se me Vuçiqin diskutuan për hapa konkretë në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.
“Fola me presidentin e Serbisë në margjinat e GLOBSEC. Diskutuam një numër hapash konkretë të nevojshëm për të çuar përpara normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, tha Sorensen.
Për këtë takim reagoi edhe presidenti serb, i cili përmes një postimi në Instagram e quajti takimin me Sorensenin “të kuptimplotë dhe konstruktiv”. Ai përsëriti qëndrimin e tij për nevojën e vazhdimit të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe tha se Serbia është e përkushtuar për të gjetur “zgjidhje kompromisi”.
“Një bisedë kuptimplotë dhe konstruktive me Peter Sorensen, mbi vazhdimin e dialogut nën lehtësimin e BE-së, sfidat rajonale dhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Theksova se Serbia është plotësisht e përkushtuar për të gjetur zgjidhje kompromisi përmes dialogut, me respekt të plotë për partnerët ndërkombëtarë dhe me njohje të qartë të interesave të popullit tonë”, shkroi Vuçiq.
Takimi vjen katër ditë pasi Sorensen priti në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin, në përgatitje për një takim të nivelit të lartë që pritet të mbahet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Bashkimi Evropian ka theksuar vazhdimisht nevojën për përparim të prekshëm në zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë, përfshirë Aneksin e Ohrit dhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit. Megjithatë, tensionet në terren dhe deklaratat kontradiktore të palëve vazhdojnë ta mbajnë procesin në një pikë të ndjeshme.