Të dielën, më 15 qershor, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish në përpjekjen e 32-të me radhë për konstituimin e legjislaturës së nëntë, në një proces që ka hyrë në një ngërç të thellë institucional prej disa javësh.
Seanca e fundit, e mbajtur të premten, dështoi ashtu si 30 herët e mëparshme, për shkak të mungesës së konsensusit ndërmjet partive politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Pavarësisht thirrjeve të kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që subjektet politike të paraqesin emrat për komisionin zgjedhor që do të udhëhiqte procesin e votimit për kryetarin e Kuvendit, nuk pati asnjë propozim nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe.
Nga 87 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 47 votuan pro, çka nuk ishte e mjaftueshme për të vazhduar më tej me procesin.
Ndërkohë, përfaqësuesit e partive politike vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për bllokim institucional, duke e vështirësuar arritjen e një marrëveshjeje që do të mundësonte formimin e institucioneve të reja.
Mbledhja e radhës do të mbahet nesër në orën 10:00, me pritshmëri të ulëta për ndonjë zgjidhje të menjëhershme në mungesë të ndryshimeve në pozicionet e partive politike.