Një shpërthim i fuqishëm dhe më pas një zjarr i përmasave të mëdha kanë përfshirë një nga impiantet më të rëndësishme të energjisë në Iran. Sipas mediave iraniane, impianti i nxjerrjes së gazit South Pars, në provincën jugore të Bushehrit, është goditur nga një sulm ajror me dronë, i cili wshtw kryer nga Izraeli.
Lajmin e ka bërë publik fillimisht Times of Israel, ndërsa autoritetet iraniane nuk kanë dhënë ende një konfirmim zyrtar për përgjegjësinë, por raportet mediatike dhe analizat ushtarake tregojnë për një operacion të koordinuar me qëllim të qartë: goditjen e një prej arterieve kryesore të ekonomisë iraniane.
Fusha South Pars konsiderohet si rezerva më e madhe e gazit natyror në botë, e ndarë mes Iranit dhe Katarit në Gjirin Persik. Kjo fushë shtrihet në territorin detar të të dy vendeve – ku pjesa iraniane njihet si South Pars, ndërsa ajo katariote si North Dome.
South Pars përbën bazën e prodhimit të gazit për Iranin, duke gjeneruar një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të vendit, sidomos në kushtet e sanksioneve ndërkombëtare. Impianti i goditur është një nga strukturat më të rëndësishme në procesin kompleks të nxjerrjes dhe përpunimit të gazit dhe naftës së shoqëruar.
Shpërthimi dhe zjarri që pasoi kanë ngritur shqetësime serioze për ndërprerje të prodhimit, ndikim në eksportet e gazit dhe përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve rajonale. Duke pasur parasysh varësinë e Iranit nga të ardhurat e energjisë, një goditje në këtë nivel konsiderohet si një mesazh i drejtpërdrejtë politik dhe ekonomik nga Izraeli.
Ndërkohë, ekspertë të sigurisë paralajmërojnë se sulmi ndaj një objekti të tillë jo vetëm që rrezikon stabilitetin ekonomik të Iranit, por gjithashtu rrit rrezikun për përfshirje të Katarit dhe shteteve të tjera të Gjirit në një konflikt më të gjerë.
Autoritetet iraniane nuk kanë dalë ende me një deklaratë zyrtare mbi shkallën e dëmeve apo përgjegjësinë për sulmin. Megjithatë, duke parë rëndësinë strategjike të South Pars-it dhe kontekstin e tensionuar pas sulmeve të fundit izraelite ndaj objekteve bërthamore, një kundërpërgjigje e Iranit është e mundshme, çka do të rëndonte më tej krizën në Lindjen e Mesme.