Gjykata Themelore në Prishtinë do të zhvillojë të hënën, më 16 qershor, seancën fillestare për rastin e masakrës në Mejë dhe fshatrat e tjera në rajonin e Gjakovës, një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë.
Masakra ndodhi në prill të vitit 1999, kur 370 shqiptarë u ekzekutuan dhe më pas trupat e tyre u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë.
Aktakuza, e ngritur në dhjetor të vitit 2023 dhe e plotësuar në prill të vitit 2024, përfshin 53 persona, me Momir Stojanoviqin, ish-shef të Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës, si të dyshuarin kryesor.
Mes të akuzuarve janë edhe Franko Simatoviq, ish-komandant i Njësisë për Operacione Speciale (JSO), dhe disa ish-zyrtarë ushtarakë serbë të rangut të lartë. Procesi gjyqësor pritet që së paku të hedhë dritë mbi përgjegjësinë e tyre në këtë krim dhe të sjellë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.