Kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe kryetari i Komunës së Shtimes Qemajl Aliu kanë vënë sot gurthemelin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Shtime, një investim prej 2.4 milionë eurosh që synon përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
QKMF-ja do të shtrihet në një hapësirë prej 3,000 m², duke përfshirë laboratorin, radiologjinë, urgjencën, vaksinimin dhe administratën. Sipas planit, ndërtimi pritet të përfundojë në fund të vitit 2027.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, vlerësoi investimin si një hap të rëndësishëm në transformimin urban të qytetit, duke theksuar se infrastruktura moderne do të përmirësojë cilësinë e shërbimeve.
Ndërkohë, ministri Arben Vitia theksoi se ky projekt, së bashku me investimet e tjera në sektorin shëndetësor, do të forcojë nivelin e shërbimeve primare për qytetarët.
Punimet në QKMF-në e Shtimes shihen si pjesë e një strategjie më të gjerë për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore në Kosovë.