Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar ashpër sjelljen e partive opozitare, duke i akuzuar se po bllokojnë vazhdimisht punën e Kuvendit përmes refuzimit të votimit në seancat konstituive.
Në një prononcim për media para fillimit të seancës së radhës, Murati ka theksuar se për më shumë se 20 seanca radhazi, deputetët e opozitës kanë shmangur obligimin e tyre kushtetues për të votuar, qoftë në mbështetje, kundër apo me abstenim.
“Janë mbi 20 seanca që opozita nuk voton, duke mos ushtruar vullnetin e tyre të lirë as për apo kundër. Presim që opozita të reflektojë. Obligimi kushtetues është që të votohet – qoftë për, kundër apo abstenim,” u shpreh Murati.
Ai rikujtoi se sipas Gjykatës Kushtetuese, deputetët janë të detyruar të marrin pjesë aktivisht në procesin e votimit në seancat konstituive.
“Siç e dini, Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë se deputetët janë të obliguar të votojnë në seancat konstituive. Mungesa e votës nuk është opsion kushtetues,” shtoi ai.
Murati kërkoi nga partitë opozitare që të ndalojnë bojkotin dhe të kontribuojnë në funksionimin e institucioneve.