Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar ndaj situatës së krijuar në skenën politike në vend, duke e quajtur të papranueshme sjelljen e disa subjekteve politike që, sipas tij, po e thellojnë krizën institucionale.
Gjatë një deklarate për media, Limaj ka theksuar se Nisma Socialdemokrate ka treguar përgjegjësi duke ofruar një opsion për zgjidhje, ndërsa ka bërë thirrje për një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse për tejkalimin e ngërçit aktual.
“Kjo është skandaloze, çka po ndodhë. Ne nga fillimi kemi ftuar për marrëveshje politike. Kjo është një lloj situate ku neve na bënë me u ndje të përgjegjshëm sepse kemi dhënë një opsion. Çdo gjë tjetër çfarë po ndodhë këtu, është skandaloze,” deklaroi Limaj.
Ai paralajmëroi se mungesa e stabilitetit institucional mund të ketë pasoja të mëdha për Kosovën, jo vetëm në aspektin e brendshëm, por edhe në atë ndërkombëtar.
“Nëse lejohet kjo që çdo dy muaj të shkohet në zgjedhje, atëherë krejt çka mund të them është se nuk e meritoni besimin e qytetarëve të Kosovës,” theksoi ai.
Limaj apeloi për reflektim dhe konstruktivitet nga të gjithë aktorët politikë, duke nënvizuar rëndësinë e stabilitetit në një kohë kur, sipas tij, bota po përballet me ndryshime të mëdha.
“Kjo shmangie sjell dëme ekonomike, politike dhe mund të na sjell edhe dëme gjeostrategjike. Ne si drejtues duhet të parashikojmë gjërat. Drejtuesit duhet të insistojnë,” përfundoi Limaj.