Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar se ushtria e Shteteve të Bashkuara është e gatshme të zbatojë çdo vendim që Presidenti Donald Trump mund të marrë në lidhje me përshkallëzimin e situatës me Iranin.
Kjo deklaratë u dha gjatë një dëgjese në Senat, pas sulmeve të Iranit ndaj vendbanimeve izraelite dhe në infrastrukturen shëndetësore.
Duke u shfaqur para një komiteti të Senatit, Hegseth mbajti një qasje të kujdesshme, duke refuzuar të zbulojë nëse Pentagoni kishte përgatitur plane konkrete për një operacion ushtarak.
Megjithatë, i nxitur nga pyetje të drejtpërdrejta të ligjvënësve, ai pranoi se çdo urdhër presidencial për veprim në Iran do të zbatohet pa vonesë nga forcat e armatosura.
“Teherani duhet ta kishte dëgjuar thirrjen e presidentit Trump për një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor, para se Izraeli të fillonte sulmet ajrore të premten,” paralajmëroi Hegseth.
Këto deklarata vijnë në një moment kritik për marrëdhëniet SHBA-Iran, me opinionin ndërkombëtar që po ndjek me shqetësim çdo lëvizje të mundshme drejt një përplasjeje më të gjerë ushtarake në Lindjen e Mesme.