Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar mungesën e zhvillimeve të reja në këtë proces politik të zvarritur.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Hasani tha se ndodhet në ambientet e Kuvendit për përgatitjet e Konventës së PDK-së dhe jo për seancën e sotme.
“Nuk do të marr pjesë. Rutinë është e njëjtë, seriali është i njëjtë, veç episodet po ndryshohen, nuk ka ndryshime. Në dorë të Zotit dhe Gjykatës Kushtetuese,” – deklaroi ai.
Përkundër thirrjeve për zgjidhje institucionale dhe angazhim politik, bllokadat dhe mungesa e konsensusit vazhdojnë ta thellojnë krizën parlamentare, duke lënë vendin në pritje të një zgjidhjeje që mund të vijë vetëm përmes dialogut apo ndërhyrjes së instancave kushtetuese.