Spanja ka kundërshtuar kërkesën e fundit të NATO-s për rritjen e ndjeshme të shpenzimeve ushtarake, duke e cilësuar propozimin për alokimin e 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen si “të paarsyeshëm”.
Në një letër zyrtare dërguar Sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez theksoi se vendi i tij nuk mund të angazhohet për një objektiv të tillë shpenzimesh në samitin e ardhshëm të NATO-s që do të mbahet në Hagë.
“Spanja mbetet e përkushtuar ndaj detyrimeve të saj në kuadër të Aleancës, por një rritje e tillë nuk përkon me kapacitetet aktuale ekonomike dhe strategjinë tonë kombëtare të sigurisë,” thuhet në letrën e z. Sánchez.
Nisma për rritjen e shpenzimeve mbrojtëse është promovuar fuqishëm nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili kërkon që shtetet anëtare të NATO-s të dedikojnë 5% të PBB-së për nevoja ushtarake. Disa vende si Suedia dhe Holanda tashmë kanë shprehur gatishmërinë për të ndjekur këtë synim të ri.
Megjithatë, Spanja – e cila aktualisht shpenzon më pak se 2% të PBB-së për mbrojtje – mbetet vendi me nivelin më të ulët të investimeve ushtarake brenda aleancës prej 32 shtetesh.
Qeveria spanjolle kishte paralajmëruar më herët një rritje të moderuar të buxhetit të mbrojtjes. Në prill, Sánchez njoftoi se Spanja do të investojë 10.5 miliardë euro shtesë për të arritur cakun e mëparshëm të NATO-s, që është 2% e PBB-së deri në vitin 2029.
Vendimi i Madridit ka hapur debat mbi balancën mes angazhimeve ndërkombëtare dhe prioriteteve të brendshme ekonomike, në një kohë kur tensionet gjeopolitike dhe kërkesat për siguri janë në rritje në nivel global.