Kompania e konsulencës Nomad Consulting ka reaguar publikisht pas deklaratës së Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili në një prononcim të fundit përdori termin “nomad” në kontekst ofendues ndaj opozitës, duke i lidhur me dështimin për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në një postim zyrtar, Nomad Consulting shprehet se ndjehet keq për mënyrën se si është përdorur fjala “Nomad”, duke theksuar se për ta ky është një simbol suksesi dhe stabiliteti, jo përçmimi.
“Z. Kryeministër, na vjen keq për Ju, por ‘Nomad’ është sinonim i suksesit. Për dallim nga ju, ne në Nomad kemi Kuvend funksional. Kemi edhe kryetar të Kuvendit. Kemi ekzekutiv legjitim, jo ‘në detyrë’ pafund. Kemi strategji të qarta – jo improvizime nga java në javë,” thuhet në reagim.
Nomad Consulting vijon më tej me tone ironike, duke thënë se ndonëse janë “Nomad”, ata kanë shtëpi – në kuptimin metaforik të organizimit të brendshëm, strukturës dhe vizionit afatgjatë.
“Po, ne jemi Nomad – dhe kemi shtëpi. Juve ju sugjerojmë ta bëni shtëpinë tuaj sa më parë – kanë kaluar gati 5 muaj nga zgjedhjet,” përfundon reagimi.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur vendi po përballet me një krizë të zgjatur institucionale, pasi zgjedhjet e mbajtura muaj më parë ende nuk kanë rezultuar në formimin e institucioneve të reja shtetërore, përfshirë Kuvendin dhe Qeverinë e re.
Nomad Consulting është një kompani e njohur në fushën e konsulencës dhe zhvillimit organizativ, e angazhuar në projekte në sektorin publik dhe privat në Kosovë dhe rajon.

