Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, ka ngritur alarmin për situatën kritike të ujit në Gaza, duke paralajmëruar se fëmijët rrezikojnë të vdesin nga etja për shkak të kolapsit të sistemit të ujësjellësit të shkaktuar nga lufta.
“Fëmijët do të nisin të vdesin nga etja. Vetëm 40 për qind e impianteve për prodhimin e ujit janë funksionale. Jemi shumë nën standardet e emergjencës për furnizimin me ujë të pijshëm në Gazë”, deklaroi zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder.
UNICEF raportoi gjithashtu për një rritje prej 50 për qind të rasteve të fëmijëve të moshës nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç, të cilët janë shtruar në spital për shkak të kequshqyerjes gjatë muajve prill-maj. Organizata theksoi gjithashtu se rreth gjysmë milioni njerëz në Gaza po përballen me uri ekstreme.
Lufta në Gaza nisi pas sulmit të militantëve të Hamasit në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe u morën rreth 250 pengje. Izraeli thotë se 58 pengje ende mbeten në Gaza, ndërsa besohet se rreth 35 prej tyre kanë humbur jetën.
Që nga fillimi i konfliktit, ofensiva izraelite ka shkaktuar mbi 55.000 viktima në Gaza, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë. Lufta ka sjellë shkatërrime masive në territor, ndërsa OKB paralajmëron se pothuajse e gjithë popullsia e Gazës ndodhet në prag të zisë së bukës.