Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar edeh sot ndaj situatës së bllokuar politike në vend, duke e cilësuar si të papranueshme mungesën e vullnetit për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Në një prononcim për media, Limaj ka shprehur shqetësimin e tij për pasojat që po sjellin dështimet e njëpasnjëshme në konstituimin e Kuvendit dhe në ndërtimin e qeverisë së re, duke theksuar se kjo situatë rrezikon sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
“Jo, nuk pres asgjë më ndryshe sepse nuk ka pasur ndonjë lëvizje. Me ardhë momenti me ta dhënë populli besimin e mos me qenë në gjendje me u ul me grupet politike e me ndërtuar qeveri, parlament e institucione – në kohën kur bota është trazuar me gjitha problemet ekonomike, politike, me problemet e sigurisë – kjo është e pakuptueshme ka lënë të nënkuptohet Limaj. Ai ka vazhduar duke thënë – atë që e shihni ju – në krejt këtë situatë apeli im është te qytetarët: shikoni se kujt po ia jepni besimin”, deklaroi Limaj.
Ai theksoi se kriza e thellë politike po e minon funksionimin normal të shtetit dhe paralajmëroi se mungesa e institucioneve funksionale i ekspozon qytetarët e Kosovës ndaj rreziqeve serioze, veçanërisht në një kontekst ndërkombëtar të paqëndrueshëm.
Limaj u bëri thirrje të gjithë faktorëve politikë të tregojnë përgjegjësi shtetërore dhe të lënë anash interesat partiake në mënyrë që të arrihet konsensus për formimin e institucioneve. Ai gjithashtu ftoi qytetarët që në të ardhmen të mendojnë më thellë për atë se kujt ia besojnë të ardhmen e vendit.