PDK mban Konventën e 11-të – Memli Krasniqi kandidon i vetëm për kryetar: “Jo për pozitën, por për misionin”

by engel

Partia Demokratike e Kosovës po mban Konventën e saj të Përgjithshme të njëmbëdhjetë me radhë, ku pritet të zgjidhet kryetari dhe kryesia e re e partisë. I vetmi kandidat për pozitën e kryetarit është Memli Krasniqi, aktualisht në krye të PDK-së, i cili kërkon një mandat të ri për të vazhduar, siç tha ai, “rrugën e bashkimit dhe të fuqizimit”.

Në fjalimin e tij para delegatëve, Krasniqi theksoi arritjet e partisë gjatë katër viteve të fundit, duke përfshirë përballjen me sfidat që pasuan shkuarjen e liderëve të saj në Hagë, fitoren në zgjedhjet lokale të vitit 2021 dhe rezultatin e fortë në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër.

banner

“Ky mandat mbaroi, por puna jo. PDK është në rritje, dhe rritja kërkon stabilitet. Po përgatitemi për fitore, dhe fitorja kërkon unitet. Prandaj kërkoj mbështetjen tuaj – jo për pozitën, por për misionin”, u shpreh Krasniqi.

Ai theksoi se PDK-ja gjatë mandatit të tij është riorganizuar dhe ndërkombëtarizuar, duke u anëtarësuar në rrjetet evropiane dhe botërore të partive liberale-demokratike, si dhe ka fuqizuar përfaqësimin e grave dhe të rinjve në vendimmarrje.

“Ne nuk flasim vetëm për të ardhmen. Ne duam ta projektojmë të ardhmen. Kemi qenë zëri i maturisë dhe përgjegjësisë në Kuvend, kemi dialoguar ku ka qenë e mundur dhe kemi kundërshtuar me vendosmëri kur ka qenë e nevojshme”, tha ai.

Krasniqi i dha rëndësi të veçantë sfidave të ardhshme, duke përfshirë zgjedhjet lokale të 12 tetorit, për të cilat tha se PDK nuk garon vetëm për të mbajtur pushtetin në komunat ekzistuese, por për ta rritur më tej bazën e saj.

Ai përmendi emrat e disa prej kryetarëve aktualë të komunave, duke i cilësuar si “kampionë të qeverisjes së mirë” që kanë dëshmuar rezultate konkrete në zhvillim dhe transparencë.

“Kauza jonë është Kosova. Kauza jonë është zhvillimi. Kauza jonë është e ardhmja. Dhe ne do ta ndërtojmë atë – së bashku”, përfundoi Krasniqi.

Konventa e PDK-së shënon një moment kyç për partinë në prag të një cikli të ri zgjedhor, duke sinjalizuar vazhdimësinë në lidership, por edhe mobilizimin për sfidat e ardhshme politike në vend.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy