Neymar është shumë pranë zyrtarizimit të rinovimit të kontratës me klubin brazilian Santos, aty ku nisi karrierën si profesionist dhe ku është rikthyer pas aventurës së tij në futbollin evropian dhe atë saudit.
Sipas asaj që raporton TyC Sports, kontrata aktuale e Neymar me Santos skadon më 30 qershor 2025, por palët tashmë kanë rënë dakord për vazhdimin e bashkëpunimit. Zyrtarizimi i marrëveshjes së re pritet të ndodhë brenda kësaj jave.
Presidenti i Santos, Marcelo Teixeira, ka zhvilluar një takim vendimtar me babain dhe njëkohësisht menaxherin e sulmuesit, për të finalizuar detajet e fundit të kontratës së re. Atmosfera në klub është pozitive dhe ka sinjale të qarta se gjithçka është drejt mbylljes me sukses.
Skuadra pritet të rikthehet në stërvitje ditën e premte dhe, sipas burimeve të brendshme, pikërisht atë ditë mund të vijë edhe lajmi zyrtar që tifozët e Santos po e presin me padurim: që Neymar do të vazhdojë të jetë pjesë e ekipit edhe për sezonet në vijim.
33-vjeçari brazilian, pas viteve të suksesshme në Barcelonë dhe PSG, si dhe një periudhe të shkurtër në Arabinë Saudite, po kërkon të rikthejë formën e tij më të mirë atje ku gjithçka nisi — në shtëpinë e tij, Santos.

