Në një deklaratë që përmbante një dozë të cinizmit dhe ironi, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka hedhur poshtë pretendimet e kryeministrit Albin Kurti se opozita po i zgjat mandatin përmes moskonstituimit të Kuvendit.
“Ju kisha lut mos me u marrë me deklarata që s’kanë fije inteligjence,” tha Abdixhiku, duke mos kursyer asnjë grimë cinizëm në drejtim të shefit të qeverisë. “Le të ketë dinjitet edhe në punën që e bëni,” shtoi ai, ndërsa kërkoi nga gazetarët që të mos bien pre e “gjërave pa fije integriteti”.
Kryetari i LDK-së e cilësoi tërësisht të pabazë pretendimin se opozita po e “zgjat jetën politike” të Kurtit, duke theksuar se “mandatet nuk mbahen me fjalë, por me vendime politike legjitime”.
Në skenën politike të tensionuar, ku seanca e 37-të për konstituimin e Kuvendit dështoi sërish, përplasjet verbale vazhdojnë duke e zëvendësuar vendimmarrjen, ndërsa publiku ndjek me durim një serial që nuk ka fund, as asnjëherë një episod përmbyllës.