Policia e qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ka ndërmarrë një aksion të gjerë sekuestrimi të pasurive që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të narkotikëve.
Subjekti i procedimit pasuror është shtetasi me inicialet K. B., alias S. B., 45 vjeç, banues në Gjirokastër, ndaj të cilit rëndojnë dyshime për përfshirje në rrjetin e trafikut të drogës.
Në kuadër të hetimeve të koordinuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, janë vënë në sekuestro pasuritë e mëposhtme:
- Një lokal bar-kafe dhe hotel katërkatësh, në lagjen “18 Shtatori”
- Një ndërtesë dykatëshe me papafingo, me sipërfaqe totale 393.3 m², në fshatin Valare
- Një tjetër ndërtesë dykatëshe me sipërfaqe ndërtimi 235 m², po në Valare
- Një truall me funksion servis makinash, me sipërfaqe 1216 m² dhe ndërtesë prej 276 m², në lagjen “Grehot”
- Një lokal me sipërfaqe 30 m², në të njëjtën lagje
- Një automjet luksoz tip Audi Q7
Përveç këtyre, janë lëshuar urdhra sekuestroje për edhe 8 automjete të tjera, të regjistruara në emër të shtetasit të dyshuar dhe familjarëve të tij.
Policia po punon për lokalizimin dhe sekuestrimin e tyre.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. Autoritetet deklaruan se kjo masë përbën një hap të rëndësishëm në goditjen e pasurive të përfituara nga aktivitetet e paligjshme.