Irani do t’i përgjigjet çdo sulmi të ardhshëm të SHBA-së duke goditur bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, tha të enjten Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei, në fjalimin e tij të parë televiziv që nga arritja e një armëpushimi midis Iranit dhe Izraelit.
Khamnei, 86 vjeç, shpalli fitoren pas 12 ditësh lufte, që kulmoi me një sulm iranian ndaj bazës më të madhe amerikane në rajon, të vendosur në Katar, pasi Uashingtoni iu bashkua sulmeve izraelite.
“Republika Islamike e goditi Amerikën në fytyrë. Ajo sulmoi një nga bazat e rëndësishme amerikane në rajon”, tha Khamenei.
Ashtu si në komentet e tij të fundit, të publikuara më shumë se një javë më parë gjatë bombardimeve izraelite, ai foli nga një vend i fshehtë i mbyllur përpara një perdeje ngjyrë kafe, midis një flamuri iranian dhe një portreti të paraardhësit të tij Ruhollah Khomeini.