Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për një zgjidhje politike urgjente përpara mbajtjes së seancës së Kuvendit, duke paralajmëruar se një vazhdim mekanik i proceseve pa marrëveshje paraprake mund të çojë vendin në një cikël të pafund institucional.
Në një deklaratë për media të dhënë para mbledhjes së radhës së Kuvendit, Haradinaj tha se AAK-ja është e gatshme të japë votat për të zhbllokuar çështjen e kandidaturës për kryetar parlamenti, por insistoi se nuk mund të vazhdohet sikur vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndodhur.
“Është mirë të gjejmë zgjidhje para seancës. Nëse vazhdojmë, hyjmë në ciklin e pafund,” tha Haradinaj, duke shtuar se vendimi i gjykatës duhet të reflektohet në mënyrën sesi vijon seanca.
Ai nënvizoi se Aleanca është gati të kontribuojë me gjashtë votat e saj për zgjidhjen e ngërçit, për sa kohë që ka një dakordim për kandidaturën.
Sipas tij, çdo tentativë për të vazhduar procedurat pa reflektuar vendimin e Kushtetueses do të ishte e kotë dhe do të minonte kredibilitetin institucional.
“Imagjinoni të hyjmë në seancë me të vjetrën, pas vendimit të gjykatës. Kot e ka ftuar takimin nesër, nëse vazhdon njëjtë,” shtoi ai, duke lënë të nënkuptohet se çdo përpjekje për dialog është e pavlefshme pa veprim konkret në seancë.