Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë për mbarëvajtjen e manifestimeve të planifikuara për Ditën e Vidovdanit, që do të zhvillohen nesër.
Sipas njoftimit zyrtar, janë hartuar plane operacionale që përfshijnë angazhim të njësive policore në terren, kontroll të trafikut dhe monitorim të aktiviteteve me ndjeshmëri të lartë.
“Policia e Kosovës apelon që qytetarët dhe pjesëmarrësit të jenë të përmbajtur, të shmangin provokimet dhe të respektojnë ligjin,” thuhet në deklaratën e bërë publike.
Autoritetet kanë kërkuar gjithashtu mirëkuptim për çdo ndërhyrje të mundshme në qarkullimin rrugor.
Ndërkohë, edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur lidhur me pritjet për Vidovdanin, duke paralajmëruar përpjekje të mundshme për destabilizim.
Ai tha se sipas informacioneve të agjencive të sigurisë, grupe të organizuara nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina pritet të marrin pjesë në tubimet në Gazimestan.
“Beogradi po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga protestat e brendshme duke eksportuar tensione në Kosovë,” tha Kurti, duke nënvizuar se në të kaluarën grupe të tilla janë shfaqur me simbole nacionaliste që bien ndesh me rendin kushtetues të Kosovës.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve dhe të ruajnë qetësinë. “Presim nga të gjithë, përfshirë komunitetin serb, që të respektojnë ligjin dhe të mos lejojnë të shfrytëzohen për qëllime politike,” shtoi Kurti.