Beogradi po bëhet sërish qendër e protestave, teksa studentët serbë kanë thirrur një marshim të madh për të shtunën mbrëma, me kërkesën kryesore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Protesta vjen pas gati tetë muajsh mobilizimi në mbarë vendin, që kanë sfiduar autoritetin e presidentit populist Aleksandër Vuçiç dhe kanë tronditur balancat politike në Serbi.
Nisma e fundit e studentëve vjen si përgjigje ndaj zemërimit publik të shkaktuar nga shembja tragjike e një tende të rinovuar në stacionin hekurudhor, që mori jetën e 16 personave më 1 nëntor.
Ngjarja ka rritur ndjeshëm pakënaqësinë ndaj qeverisë, e cila akuzohet për korrupsion të rrënjosur dhe neglizhencë në projektet infrastrukturore shtetërore.
Protestuesit e akuzojnë qeverinë për mungesë transparence. Protestat janë shpallur të jenë paqësore, pavarësisht pretendimeve të zyrtarëve se pas tyre qëndrojnë ndikime të huaja dhe përpjekje për destabilizim.
Presidenti Vuçiç ka zgjedhur të zbatojë një ton sfidues dher sjellje arrogante duke u shfaqur në ceremonitë shtetërore dhe shpërndarë çmime, ndërsa paralajmëroi “drejtësi” për protestuesit që ai i cilësoi si “banditë”.
Mbështetësit e Vuçiç kanë organizuar një kundër-organizim në qendër të kryeqytetit, të cilin e kanë quajtur “mbrëmje letrare”, në një përpjekje për ta zhvendosur narrativën.
Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi janë të parashikuara për vitin 2027, por trysnia publike po rritet ndjeshëm, ndërsa studentët duken të vendosur për të mos e lënë zërin e tyre të shpërfillet.