Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka konfirmuar mbylljen e tetë institucioneve shëndetësore private që operonin jashtë kuadrit ligjor, pa licencë të vlefshme për ofrimin e shërbimeve mjekësore.
Vendimi është ndërmarrë pas inspektimeve të rregullta të zhvilluara nga Inspektorati Shëndetësor.
Në një njoftim publik, Vitia theksoi vendosmërinë e institucioneve për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Shëndeti i qytetarëve nuk mund dhe nuk do të lejohet që të rrezikohet nga veprimtari të paligjshme,” shkroi ai, duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve të tjera që ofrojnë shërbime shëndetësore të përmbushin detyrimet ligjore dhe standardet e përcaktuara.
Mbyllja e këtyre qendrave është pjesë e një aksioni më të gjerë për të rritur sigurinë në sektorin privat të shëndetësisë dhe për të parandaluar rastet e trajtimeve të pasigurta.
Ministri ka shprehur mirënjohjen për punën e përditshme të inspektorëve dhe ka paralajmëruar masa të mëtejshme ndaj institucioneve që operojnë në mënyrë të paligjshme.