Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar pas takimit me liderët politikë se interpretimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nuk përbën zgjidhje të mjaftueshme për ngërçin politik në vend.
Ai ka kërkuar arritjen e një marrëveshjeje të qartë dhe gjithëpërfshirëse politike, si rruga e vetme për të kapërcyer bllokadën institucionale.
“Takimi pas tre muajsh ishte i nevojshëm, por fokusi mbeti më shumë tek interpretimi i aktgjykimit se sa tek zgjidhja reale e krizës politike,” theksoi Limaj për mediat.
Sipas tij, kriza aktuale nuk mund të trajtohet vetëm në aspektin juridik, pasi Kushtetuesja nuk mund të zëvendësojë vullnetin politik e bashkëpunimin mes partive.
Ai ka bërë thirrje për vazhdimin e tryezave të përbashkëta, duke vlerësuar se takimi ishte një hap i parë pozitiv, por që duhet pasuar me hapa konkretë drejt kompromisit politik.
“Një tryezë politike është e domosdoshme për të gjetur zgjidhje. Ata që kanë pritur që aktgjykimi do ta zgjidhë krizën, nuk e njohin mirë funksionimin e gjykatës,” u shpreh më tej Limaj.