Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar vendosmërinë e partisë së tij për të mos u bërë pjesë e asnjë procesi që bie ndesh me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, duke kritikuar ashpër qasjen e mazhorancës në përpjekjet për zgjidhjen e ngërçit institucional.
“Me gjithë zemër do të votonim me 20 vota kundër për kandidatin që ata propozojnë. Por nuk mund të marrim pjesë në një shkelje të aktgjykimit të Kushtetueses,” deklaroi Abdixhiku, pas takimit me liderët politikë.
Ai nënvizoi se është e papranueshme të kërkohet nga LDK-ja të votojë diçka që konsiderohet jokushtetuese, ndërkohë që njëkohësisht i mohohet e drejta për të ushtruar të njëjtin votim.
Sipas tij, mazhoranca ka numrat e nevojshëm për të propozuar emra të tjerë, por duhet ta bëjë këtë duke respektuar kuadrin kushtetues.
“Po bëjmë thirrje që të na jepet e drejta për votim, përderisa po na kërkohet të votojmë diçka jokushtetuese,” shtoi ai.