Reagojnë 52 organizata të shoqërisë civile: “Demokracia nuk mund të mbahet peng”

by engel

Një grup prej 52 organizatash të shoqërisë civile në Kosovë kanë reaguar të hënën me shqetësim të thellë ndaj situatës politike të krijuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke e cilësuar zvarritjen e procesit të konstituimit të legjislaturës së re si një “bllokadë institucionale” dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit demokratik dhe funksionimit kushtetues të shtetit.

Në deklaratën e përbashkët, organizatat theksojnë se vendi po qëndron pa një Kuvend të konstituuar prej më shumë se dy muaj e gjysmë, situatë që ka ndikuar negativisht në miratimin e ligjeve, mbikëqyrjen e Qeverisë dhe trajtimin e çështjeve me rëndësi jetike për qytetarët.

banner

“Kuvendi i Republikës është institucioni më i lartë përfaqësues dhe shtylla e demokracisë parlamentare. Zvarritja e konstituimit të tij është një alarm serioz për funksionimin e shtetit”, thuhet në deklaratë.

Organizatat kanë mirëpritur Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 26 qershor 2025 duke e cilësuar si një ndërhyrje të domosdoshme për të sqaruar paqartësitë procedurale dhe për të përcaktuar kufijtë kushtetues lidhur me konstituimin e Kuvendit.

Sipas reagimit, Gjykata ka ritheksuar të drejtën e partisë fituese për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit, por ka nënvizuar se kjo e drejtë është e kushtëzuar me ndërtimin e një shumice parlamentare, përmes bashkëpunimit ndërpartiak.

Kritika ndaj menaxhimit të seancave nga Kryesuesi Avni Dehari

Organizatat kanë adresuar kritika të ashpra ndaj Kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, të cilin e akuzojnë për devijim nga rendi i dakorduar në takimin e 8 prillit dhe për ndërhyrje në procedurë.

Ata e kanë kundërshtuar sidomos propozimin e një komisioni për votim të fshehtë pa bazë ligjore dhe mungesën e përfaqësimit adekuat të partive opozitare.

Në vazhdimin e seancës më 28 qershor, sipas deklaratës, është shkelur qartazi vendimi i Gjykatës Kushtetuese përmes instrumentalizimit të Kryesuesit dhe përpjekjeve të Lëvizjes Vetëvendosje për të imponuar një zgjidhje të njëanshme.

“Janë tashmë 39 tentime të dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – 39 herë që seanca është kthyer në skenë të manipulimit procedural dhe interesave të ngushta partiake”, thuhet në deklaratë.

Thirrje për zhbllokimin e procesit

Organizatat kërkojnë që të gjitha partitë politike, e veçanërisht partia fituese, të përmbushin detyrimet kushtetuese dhe të tregojnë gatishmëri për kompromis. “Kuvendi nuk është pronë e një partie të vetme dhe nuk mund të mbahet peng nga asnjë subjekt politik”, theksojnë ato.

Në përfundim, 52 organizatat nënshkruese ritheksuan nevojën për rifillimin urgjent të punës së Kuvendit, në mënyrë që të garantohet miratimi i ligjeve, mbikëqyrja e ekzekutivit dhe përfaqësimi i interesave të qytetarëve.

Disa nga organizatat nënshkruese përfshijnë:
Advocacy Training & Resource Center (ATRC), Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK), Balkan Green Foundation (BGF), Democracy Plus (D+), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI), Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Community Building Mitrovica (CBM), GERMIN, dhe të tjera – në total 52 organizata të shoqërisë civile.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy