Një tjetër ditë tragjike në Rripin e Gazës, ku forcat izraelite kanë bombarduar zona të shumta, duke vrarë të paktën 85 palestinezë, mes tyre fëmijë, gra dhe civilë që kishin kërkuar strehim në shkolla dhe spitale.
Më shumë se 150 të tjerë janë plagosur në atë që vëzhguesit ndërkombëtarë e quajnë “intensifikim brutal të dhunës”.
Sipas raportimeve të Al Jazeera, 62 nga viktimat u regjistruan në qytetin e Gazës dhe në veri të territorit. Sulmi më i rëndë ndodhi pranë portit të qytetit, ku të paktën 21 persona, shumica gra dhe fëmijë, humbën jetën nga goditjet e marinës izraelite.
Zona ishte kthyer në një qendër strehimi për të zhvendosurit që kërkonin pak freski nga vapës përvëluese nëpër tenda.
Spitali Al-Aqsa në Deir el-Balah, gjithashtu u bë shënjestër. Forcat izraelite goditën oborrin e këtij spitali, ku strehoheshin mijëra familje.
Pamjet e shpërndara online tregojnë panik, të plagosur dhe tenda të shkatërruara, ndërsa dëshmitarët pohojnë se nuk pati asnjë paralajmërim para sulmit.
Ky është sulmi i dhjetë ndaj këtij objekti shëndetësor, duke shtuar barrën dhe pasigurinë ndaj një sistemi shëndetësor tashmë të shkatërruar.
Në jug, në Khan Younis, të paktën 15 persona që kërkonin ndihma ushqimore pranë një pike shpërndarjeje të menaxhuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) – i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli – humbën jetën nga një sulm ajror izraelit.
Mbi 50 të tjerë u plagosën. Që nga përfshirja e GHF në fund të majit, afro 600 palestinezë janë vrarë në sulme pranë pikave të ndihmave.
Sipas një raporti të gazetës Haaretz, ushtarë izraelitë kanë pranuar në mënyrë anonime se kanë marrë urdhra për të qëlluar në drejtim të turmave civile pranë qendrave të ndihmës – një zbulim që ka shkaktuar zemërim në opinionin ndërkombëtar.
Spitalet, shkollat dhe shtëpitë – në shënjestër. Të paktën katër shkolla janë goditur në Gaza City, pas urdhrave të detyrueshëm për evakuim të qindra familjeve që ishin strehuar brenda.
Ndërkohë, tanket izraelite kanë hyrë në lagjen Zeitoun dhe kanë bombarduar sërish zona që më parë ishin braktisur nga ushtria.
Më shumë se 80% e Gazës është aktualisht zonë e militarizuar ose nën urdhra për evakuim, sipas OKB-së, duke krijuar një krizë humanitare që organizatat ndërkombëtare e quajnë “e papërballueshme dhe pa precedentë.”
Ndërkohë që sulmet vazhdojnë, zyrtarë izraelitë, përfshirë ministrin për Çështjet Strategjike, Ron Dermer, ndodhen në Washington D.C. për të diskutuar përpjekjet për një armëpushim të ri me administratën e Presidentit Donald Trump.
Diplomacia ndërmjetëse nga Katari dhe Egjipti po intensifikohet, por ende nuk ka një datë konkrete për bisedime.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit deklaroi:
“Është bërë e papranueshme lidhja e ndihmave humanitare me qëllime ushtarake. Gaza po derdh gjak, dhe negociatat s’mund të vazhdojnë në hijen e vdekjes.”
Në Tel Aviv, kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu pritet të mblidhet për të diskutuar fazën e ardhshme të ofensivës. Ndërkohë, një zyrtar ushtarak izraelit deklaroi se operacionet në terren janë “afër përmbushjes së objektivave”.
Por për qytetarët si Salah, një baba 60-vjeçar nga Gaza City, realiteti është i ndryshëm:
“Thonë se armëpushimi po afrohet. Ne shohim vetëm pluhur, bomba dhe vdekje. Toka nuk pushon së dridhuri.”
Situata në Gaza po arrin kufijtë e një katastrofe totale humanitare, ndërsa bota pret të shohë nëse diplomacia do të mund të ndalë një prej cikleve më vdekjeprurëse të luftës moderne.