Politikani britanik Nigel Farage shpalosi qartë motivet që qëndrojnë pas debatit të vazhdueshëm me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ndonëse në dukje shqetësimi i tij lidhet me numrin e shqiptarëve në burgjet britanike, në të vërtetë Farage duket se po hakmerret për qëndrimin e hapur të Ramës kundër Brexit-it, projektit të tij politik që e nxori Britaninë nga Bashkimi Evropian.
Farage, i njohur si “babai i Brexit”, në vend të një debati të ndershëm për shifrat apo për shqiptarët në Britani, ka vendosur të përdorë çështjen për qëllime politike dhe për të ushqyer narrativën e tij kundër emigracionit.
Në emisionin e tij në GB News, ai shfaq obsesion për emigracionin, në veçanti për shqiptarët, por përpiqet ta maskojë atë me tone më të zbutura.
“Jo. Unë nuk jam obsesiv me shqiptarët. Jam obsesiv me vendin tim që lejon legalisht dhe jo legalisht njerëz të këqij nga kudo që vijnë. Londra është shumë më e pasur se Shqipëria, dhe hajdutë e kriminelë vijnë këtu me qëllime të këqija”, deklaroi Farage në Top Channel.
Ai shtoi se i njëjti shqetësim vlen edhe për shtetas nga Rumania apo vende të tjera.
Por pavarësisht kësaj retorike, kur u pyet nëse po i përdor shqiptarët për përfitime politike, Farage e mohoi: “Jo. Kjo nuk ka kuptim. Është një shifër që flet vetë. Ka një bashkëpunim të mirë mes dy vendeve që duhet të thellohet.”
I vendosur në pozita të pakëndshme, Farage e kishte të vështirë të përgjigjej kur Veliu i përmendi shqiptarët që kontribuojnë në City of London, në universitete si LSE e King’s College, në sistemin shëndetësor britanik (NHS), në Policinë Metropolitane, apo edhe në ushtrinë britanike.
Përballë këtij realiteti, ai u shpreh: “Ne lavdërojmë njerëzit e mirë, por nuk duam ata të këqijtë. Është shumë e thjeshtë.”
Ndërsa për ambiciet e tij politike, Farage konfirmoi se pak shqiptarë do të kenë të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare për shkak të shtetësisë, por shtoi me entuziazëm.
“Po ndodh një revolucion politik në Britani dhe unë ndjehem shumë optimist për këtë.”
Në fund të intervistës, Farage nuk kurseu stereotipet për Londrën si “magnet për njerëz të këqij nga e gjithë Europa”, duke e vendosur debatin në një kontekst më të gjerë ksenofobie të maskuar me populizëm elektoral