Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka vazhduar sulmet ndaj partive të ish-opozitës, duke i fajësuar për bllokimin e integrimit të Kosovës në sistemin evropian të pagesave SEPA. Ky sistem mundëson transferta ndërkombëtare të parave me kosto minimale, duke sjellë kursime të mëdha për bizneset dhe diasporën.
Murati tha se bllokimi i këtij procesi është shkaktuar nga dërgimi në Gjykatën Kushtetuese i projektligjit për Shërbimet e Pagesave nga opozita. Ai theksoi se përmes këtij bllokimi, bizneset dhe diaspora humbin rreth 50 milionë euro tarifa në vit, ndërsa kursimet reale për bizneset do të ishin rreth 29 milionë euro.
“Aktiviteti bllokues i opozitës nuk ka filluar vetëm tash me bllokimin e konstituimit të Kuvendit. Për shembull, opozita e ka bllokuar edhe integrimin e Kosovës në SEPA, duke dërguar në Gjykatë Kushtetuese ligjin për Shërbimet e Pagesave, i cili është transpozim i direktivës së BE-së dhe njëkohësisht parakusht për integrim në SEPA,” shkroi Murati në rrjetet sociale, duke pyetur në mënyrë retorike nëse për këtë është fajtor edhe kryeministri Albin Kurti.
Megjithatë, ai nuk iu referua arsyes së vërtetë pse ligji u dërgua në Gjykatën Kushtetuese. Në dhjetor të vitit të kaluar, opozita kishte kundërshtuar mënyrën se si u miratuan 20 ligje në një seancë të cilës i referohet si “puçi parlamentar dhe shembja e demokracisë.” Ata argumentuan se ligjet u miratuan në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit dhe për këtë arsye i dërguan për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kishte deklaruar atëherë se veprimet e shumicës parlamentare ishin “shkelje flagrante” dhe kishte njoftuar se do të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese të vlerësojë kushtetutshmërinë e ligjeve të miratuara.
Kjo polemikë thekson ndarjet e thella politike në vend, ndërsa procesi i integrimit në SEPA mbetet i bllokuar, duke shkaktuar kosto të konsiderueshme financiare për bizneset dhe qytetarët kosovarë.