Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka shprehur urimet dhe mirënjohjen e saj të thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e Ditës së Pavarësisë, më 4 Korrik.
Përmes një deklarate publike, OVL e UÇK-së e ka cilësuar SHBA-në si një mik të përhershëm dhe partner të pazëvendësueshëm të popullit të Kosovës, duke theksuar se ndihma e saj ka qenë vendimtare në momentet më kritike të historisë së vendit.
“Në këtë ditë të shënuar për miqtë tanë të përhershëm, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpreh urimet më të përzemërta dhe mirënjohjen e përjetshme për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në urimin e organizatës.
Veteranët theksuan se populli amerikan ka qenë pranë Kosovës në kohët më të vështira dhe se kontributi i SHBA-së në rrugëtimin drejt lirisë dhe shtetësisë mbetet historik dhe i paçmuar.
“Mbështetja e SHBA-së ka qenë vendimtare në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe shtetësisë, dhe roli i saj mbetet i pazëvendësueshëm për Kosovën. Në këtë ditë të veçantë, u shprehim mirënjohje të veçantë edhe ushtarëve amerikanë që shërbejnë sot në Kosovë, për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tyre të përditshëm për paqe dhe siguri”, thuhet më tej.
Në fund të deklaratës, OVL e UÇK-së ka shprehur gatishmërinë për të qenë gjithmonë përkrah Shteteve të Bashkuara në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të lirisë, paqes dhe drejtësisë.
“Ne, ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi gjithmonë ushtarë të lirisë, dhe në zemrën tonë, jemi gjithmonë ushtarë të Amerikës. Kurdo që nevoja e drejtësisë, paqes apo miqësisë së sinqertë e kërkon, jemi të gatshëm të qëndrojmë përkrah SHBA-së”, përfundon urimi.
Kjo deklaratë vjen në një ditë simbolike për popullin amerikan, që sot feston 249-vjetorin e shpalljes së pavarësisë – një datë që përkujton vlerat e lirisë dhe demokracisë që SHBA-ja ka mbrojtur ndër dekada, përfshirë edhe në Kosovë./Informim.net

