Policia e Rajonit të Ferizajt ka bërë një apel të drejtpërdrejt qytetarëve për të treguar kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta dhe erëra të thata, duke kërkuar shmangien e djegies së mbeturinave, sipërfaqeve fushore apo pyjore.
Në njoftimin zyrtar të policisë theksohet se gjatë kësaj jave janë raportuar disa raste të zjarreve në komunat e Ferizajt, Shtimes dhe Hani i Elezit, por aktualisht nuk ka asnjë vatër aktive në rajon.
“Pasojat e zjarreve mund të jenë të rënda, të pakthyeshme dhe me rrezik për jetën, mjedisin dhe pronën,” thuhet në apelin e Policisë.
Autoritetet paralajmërojnë se do të veprojnë pa kompromis ndaj çdo individi që shkakton zjarr, qoftë me dashje apo për shkak të pakujdesisë.
“Të gjithë personat që kryejnë zjarrvënie të qëllimshme ose për shkak të neglizhencës, do të përballen me masa ligjore dhe procedura penale sipas legjislacionit në fuqi.”
Policia ka kërkuar gjithashtu bashkëpunim nga qytetarët, duke i ftuar që nëse kanë informacione për persona që shkaktojnë zjarrvënie, t’i raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”.
Ky apel vjen në një periudhë kur Kosova dhe rajoni po përballen me temperatura të larta dhe kushte të favorshme për përhapjen e zjarreve, duke e bërë ndërgjegjësimin qytetar më të rëndësishëm se kurrë.