Fikrim Damka reagon pas aktakuzës: “Nuk kam pranuar ftesë, nuk ka pasur keqpërdorim”

by engel

Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka folur sot për herë të parë lidhur me aktakuzën e ngritur ndaj tij dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, për keqpërdorim të detyrës zyrtare që, sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i ka shkaktuar shtetit një dëm prej mbi 1 milion euro gjatë periudhës 2020–2022.

Në një deklaratë për media para fillimit të seancës së Kuvendit, Damka theksoi se nuk ka marrë ende asnjë ftesë zyrtare nga ndonjë gjykatë dhe se nuk është në gjendje të komentojë përmbajtjen e aktakuzës pa e parë atë në mënyrë zyrtare.

banner

“Së pari unë si ministër në detyrë nuk kam marrë asnjë ftesë prej asnjë gjykate në Kosovë. Nuk mund ta komentoj pa e lexuar aktakuzën. Kur të thirremi nga gjykata, do të paraqitem me plot vullnetin tim,” tha ai.

Damka u shpreh i bindur se nuk ka pasur shkelje ligjore në veprimet e tij gjatë mandatit si ministër dhe e cilësoi këtë rast si një çështje që, sipas tij, po nxitet për motive të tjera.

“Jam i bindur që nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore, asnjë keqpërdorim të asnjë vendi të Republikës së Kosovës,” u shpreh ai.

Ministri në detyrë kritikoi mediat dhe një parti opozitare për, siç tha ai, elaborimin e çështjes pa pasur një dosje të konfirmuar, duke shtuar se e gjithë e vërteta do të dalë në dritë përmes procesit gjyqësor.

“Është shqetësues që dosja është elaboruar në publik nga mediat dhe një parti opozitare, ndërkohë që ne vetë ende nuk e kemi parë atë. Faktet dhe dëshmitë do t’i paraqesim në gjykatë,” përfundoi Damka.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar më 4 korrik se ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal për keqpërdorim të mbi 1 milion eurove përmes subvencioneve, duke pretenduar se mjetet janë dhënë në mënyrë të kundërligjshme në periudhën 2020–2022.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy