Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se nuk pret që Kuvendi i Kosovës të konstituohet as në seancën e 43-të, duke e konsideruar këtë si një shkelje të qartë të Kushtetutës nga ana e deputetëve që po refuzojnë të votojnë.
Në një deklaratë për media, Kusari-Lila theksoi se votimi është një detyrim kushtetues i deputetëve dhe jo çështje vullneti.
“Krejt çka pritet prej nesh si deputetë është votimi. Votimi është obligim kushtetues, jo zgjedhje,” u shpreh ajo.
Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ajo tha se nuk ka asnjë pengesë ligjore për të vazhduar me procedurat e votimit, pavarësisht formës që mund të përdoret.
“Gjykata nuk ka evidentuar ndonjë shkelje, ajo ka sqaruar procedurën për konstituimin e Kuvendit dhe ka theksuar se asnjë formë e votimit nuk është e përjashtuar,” theksoi Kusari-Lila.
Ajo iu bëri thirrje partive opozitare që nëse kanë kundërshtime ndaj votimit të fshehtë, të veprojnë përmes mekanizmave institucionalë.
“Nëse përfaqësuesit e partive opozitare nuk pajtohen me votimin e fshehtë, le ta rrëzojnë komisionin. Le të vijë Gjykata me udhëzime apo sqarime shtesë, ose partitë politike të dakordohen që Kuvendi të mblidhet dhe të shpërndahet, për të shkuar në zgjedhje,” shtoi ajo.
Bllokimi i vazhdueshëm i procesit të konstituimit të Kuvendit ka shkaktuar shqetësime për funksionimin demokratik të institucioneve dhe ka rritur presionin për zgjidhje politike ose kthim në zgjedhje të reja.

