Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka shprehur qëndrim kritik ndaj ngërçit politik rreth konstituimit të Kuvendit, duke thënë se personalisht do ta votonte cilindo kandidat që Lëvizja Vetëvendosje (VV) e propozon për kryetar të Kuvendit, pasi, sipas tij, të gjithë janë të njëjtë.
Në një deklaratë dhënë për Ekonomia Online para mbajtjes së seancës së radhës për konstituimin e Kuvendit, Berisha tha se mungesa e vullnetit politik po e mban vendin në bllokadë institucionale.
“Ishte dashur, nëse ka vullnet që të dilet nga kjo situatë. Ne po bisedojmë ngapak, por aty ka, për shembull, merake të ndryshme – jo unë e kisha votuar atë,” tha ai.
Duke u shprehur se nuk sheh dallime mes kandidatëve të VV-së, Berisha theksoi se nuk ka arsye për hezitim në votim.
“Unë çka dalloj nga grupi, veç që mua më duken të njëjtë, nuk ke çka të zgjedhësh aty. Cilindo ta qesin, me Kushtetutë i takon, po qitja cili të jetë – votone kushdo që është, se të njëjtë janë,” u shpreh ai.
Deklarata e Berishës vjen në një kohë kur Kuvendi ka dështuar tashmë 42 herë të konstituohet, për shkak të mungesës së konsensusit politik dhe bojkotit të vazhdueshëm të votimeve për postin e kryetarit të Kuvendit.

